Fishekzjarrët në Prizren: Njerëz, shpezë e objekte nëpër flakë

Qiellin e ndriçuan fishekzjarrët, por në tokë shkaktuan dëme.

Zjarri i tyre kapi edhe dy persona, kur krejt mjetet piroteknike u ndezën njëherësh në një tezgë në Prizren ku po shiteshin ato në trotuar, raporton Klan Kosova.

Njëri nga të lënduarit, 25 vjeç, gjendjen e pati të rëndë, ndaj edhe u dërgua për trajtim në QKUK.

Dëme goxha ky incident shkaktoi edhe në objektet përreth, ku në një prej tyre u dogj krejt çka kishte brenda.

Edhe banorët tjerë, ndërrimi i moteve i gjeti duke sanuar dëmet që iu shkaktuan.

Shpërthimi i fuqishëm çoi në ngordhjen edhe të disa shpendëve që ranë përtokë bashkë me kafazet e tyre.

Në këtë incident morën flakë edhe disa banesa në të cilat u shkaktuan dëme materiale, gjersa për gjithë këtë në Polici thonë se janë duke i hetuar rrethanat.

Edhe në komunën e Prizrenit i thanë televizionit se zyrtarë kanë dalë në vend-ngjarje.