Fitorja që po e humb Kosovën! “I mundëm ata!” – kjo është deklarata e triumfit të pushtetit actual-Gjeneral;Hisen BERSHA

. Por kush janë “ata” që u mundën dhe kush janë “këta” që pretendojnë fitoren? Nëse “ata” janë PDK-ja, LDK-ja dhe figurat që organizuan rezistencën ndaj pushtimit serbo-jugosllav, udhëhoqën luftën e UÇK-së për liri, zhvilluan diplomacinë ndërkombëtare dhe arritën marrëveshjet që sollën pavarësinë, atëherë kush janë “këta” që sot krekosen mbi këtë fitore? “Këta” janë pikërisht ata që nuk e përkrahën luftën e UÇK-së dhe që dikur e përçmuan atë. Madje, ndërsa UÇK-ja luftonte, një pjesë e tyre jetonte pa shqetësime, argëtohej nëpër “kafiqa” me “zemljakët” serbë dhe përqeshte luftën duke i deshifruar akronimet UÇK – “Ushtria Çlirimtare Katundare”. Në ato kohë, sipas tyre, kush nuk fliste serbisht dhe nuk ishte pjesë e rrethit të tyre “urban”, konsiderohej “selak” (katundar). Kjo frymë nuk ishte e kufizuar vetëm në një pjesë të shoqërisë, por kishte depërtuar edhe në qarqet akademike. Një nga shembujt më të njohur është kur komandanti i UÇK-së, “Feniksi”, i kërkoi akademikut Rexhep Qosja dhe gjashtë profesorëve tjerë eminent të dalin në mbështetje të UÇK-së, për t’i dhënë imazh dhe kredibilitet. Ky i fundit refuzoi. Ironikisht, ky njeri u bë më vonë ideolog politik i Albin Kurtit, i cili po ashtu, në vend që të veshte uniformën, të merrte armën e të strukturohej në UÇK, pranoj që t’iu dorëzohej forcave serbe e të zhburrnohej. Në fillimet e lëvizjes për liri, ne shqiptarët i kishim tre opsione, të cilat i përfaqësoi Presidenti Ibrahim Rugova. E ato ishin:

  • nëse Federata Jugosllave nuk shpërbëhej, Kosova të kishte statusin e Republikës së barabartë.
  • nëse Federata shpërbëhej, Kosova do të ishte shtet i pavarur dhe sovran.
  • nëse nuk njihej e drejta për shtet të pavarur, atëherë Kosova do t’i bashkohej trungut natyral – Shqipërisë.

E vërteta është se opsioni i tretë ishte gjithashtu edhe baza e platformës politike të UÇK-së. “Këta” të cilët sot e konsiderojnë Kosovën shtet i pavarur, si “projekt të përkohshëm”, menduam se po e shtyjnë atë drejt opsionit të tretë – bashkimit me Shqipërinë. Por në fakt, praktikisht po ndodhë e kundërta, po e kthejnë atë mbrapsht, duke e futur sërish në orbitën e Serbisë. Në një rast gjatë homazheve në Has të Prizrenit, një plak i urtë, Da Lumi e quanin, tregoi një histori interesante. Djali i kthehet nga gurbeti dhe e pyeti: “Me çka erdhe, bir?” “Me ballanë, babë!” “Kuku, s’paskem ku me parku atë virane. Ktheje prapë, se s’kemi lyp ballanë, o bir!” E njëjta gjë po ndodh me pavarësinë e Kosovës sot. Përmes luftës dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, Kosova mori më shumë se statusin e një “Republikë”; fitoi lirinë dhe pavarësinë për ta bërë shtetin. Por tani, ata që dikur nuk e deshën luftën, po tentojnë ta kthejnë mbrapsht atë që u fitua me sakrificë. Në Rambuje, kur delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Drejtori Politik i UÇK-së, Hashim Thaçi luftonin për pavarësinë, soji i këtyre që sot janë në pushtet sugjeronte që të pranohej “autonomia” brenda RFJ-së. Dhe sot, në vend që të punojnë për forcimin e shtetit, po e kthejnë Kosovën prapa, duke e futur në një strukturë të re varësie nën Serbinë. Me ardhjen në pushtet në 2019 dhe ‘21, Qeveria aktuale e riformatoi dialogun mbi bazën e doktrinës politike surrojane për Kosovën, të ashtuquajtur “Republika e Tretë” dhe “Alternativa e Re për Zajednicën” si vetëmenaxhim për serbët. Kështu që, Serbia po e shfrytëzon këtë situatë për të realizuar me diplomaci atë që nuk arriti me luftë. Kjo po bëhet përmes reformulimit të marrëveshjeve të mëhershme; duke e moszbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit që u nënshkrua nga palët ndërshtetrore Kosovë -Serbi dhe me garancën e Presidentit të SHBA, atëbotë Donald Trump. Më vonë, u refuzua edhe ajo e Brukselit “All in one” me njohjen. Të dyja këto ruanin frymen e detyrimeve që dilnin nga “Pako e Ahtisarit” që ofroi pavarësinë për Kosovën e cila u konfirmua edhe nga GJND. Pas bartjes së çështjes së Kosovës nga agjenda diplomatike amerikane, në atë evropiane “këta” e arritën Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin Franko-Gjerman me vetëmenaxhimin për serbët në Kosovë, që prejudikon autonomi të plotë. “Republika e Tretë” dhe “Alternativa e Re për Zajednicën”, që është doktrinë surrojane, janë brenda ofertës së vjetër të formulës së Millosheviqit i cili ofronte “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi” për Kosovën e shqiptarët. Marrëveshja e Ohrit dhe Plani Franko-Gjerman u arritën duke marrë zotimin nga “këta” në Qeverinë e Kosovës se: Serbisë do t’i hiqen për dhjetë vite kushtet e vendosura me Artikullin 35 për integrimin në BE, përfshirë: • Mosndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, ku Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e saj, • Moskushtëzimin e Serbisë për njohjen e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së. Ndërkohë, Kosova detyrohet në “normalizimin e raporteve” përmes zbatimit të rreth 40 marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë komunitet serb, si OJQ, me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Parakushtet e tjera që “këta” negociatorë kanë krijuar janë pasaportat paralele për serbët, targat, sistemi i ndarë arsimor dhe shëndetësor, politikat financiare të ndara, arbitrazh ndërkombëtar, etj. Me fjalë të tjera, Kosova po humb pavarësinë hap pas hapi, jo përmes luftës, por përmes politikës së dorëzimit. Fitorja e “këtyre” ndaj “atyre” nuk ka ardhur natyrshëm. Ka pasur ndërhyrje asimetrike në procesin zgjedhor nga Serbia, Rusia dhe struktura që shtyjnë interesat serbe në Kosovë e rajon. Ketë shqetësim e ka ngritur vetë Kryeministri i “këtyre”. Por nuk ka denjuar të kërkoj anulimin e tyre. Serbia po lobon fuqishëm në administratën e re të SHBA-së, duke shfrytëzuar precedentin e negociatave ruso-ukrainase për të krijuar një model të ngjashëm për Kosovën – imponimin e një paqeje të favorshme për Serbinë. Nëse ky proces nuk ndalet, historia do të tregojë se “këta” që u mburrën me fitoren ndaj “atyre”, në fakt mund të rezultojnë humbësit më të mëdhenj të Kosovës si shtet i pavarur. Ata që nuk e deshën luftën dhe pavarësinë, sot po e heqin dorë nga shteti. Republika e Kosovës po zëvendësohet me një “Republikë të Tretë” sipas platformes serbe, nën ingerencat kushtetuese të Serbisë. Ndërkombëtarët nuk po ua kërkojnë kthimin e pavarësisë, por “këta” po e dorëzojnë vetë. Në fund, mbetet pyetja: nëse vërtet i mundët “ata”, për kë po fitoni?/QendraPress/