Fryma poetike e së dielës me poeten:-Alma BAJA

MISIONI I FJALËS!
————————
Plagë e stolisur me logjikë
dëshpërim i racionalizuar,
qorrsokak filozofik
një burg i sofistikuar…
Zë i thellë, por jo i lirë
fjalë “të mençura” mbi boshësi,
errësirë e veshur me gjenialitet
gjuhë e ngritur – pa thelb, pa dritësi…
Dhimbja bërë flamur
e shoh t’vishet si doktrinë,
shitet trauma si profeci
jo si plagë që kërkon shërim…
Vërtet’ dhimbja është për t’u ndarë
veç jo për t’u ngritur n’sistem besimi,
jo çdo plagë është udhë
nëse s’është marrë mësimi…
Shitet errësira si ndriçim
por njeriu nuk mbaron në errësirë,
e vërteta u mbijeton plagëve
ajo gjithnjë, na bën të lirë…
***
Arti sublimim që tejkalon egon
që të tjerët – të mos i lëndojë,
ai s’është një zbrazje bosh
dritën duhet të pasqyrojë…
Një shpirt i vuajtur duhet t’ndërtojë ura
dhe jo të flasë – ai nga humnera,
s’dua fjalë që zbukurojnë burgun
por fjalë që çelin horizonte t’reja…
/QendraPress/