Fryma poetike e së dielës me poeten;-Barie ÇUPI

Portret femëror

vizatime femërore,
pak rëndësi nëse je ti apo unë,
tek-tuk dikush ikën,
dikush tjetër pas të vjen,
filxhani kafesë pa sheqer,
pa shkumë,
pelin,
fjalë të krisura në buzë,
në vijëza gri mjegullore,
funddita mbërrin,
bulojnë djersë të ftohta,
në ballin me forcë shkëmbi,
dikush të shëroi,
prej dikujt të dhëmbi,
përtej fundkafkës ulesh
si një perëndim,
në stacionin e fundit të shpirtit,
pushojmë me më të ëmblin përqafim,
një cingërimë telefoni,
ime bijë,
djali im.

vizatime femërore,
në muzgun me këmbë të fryra,
në tigan u poqën perimet,
aroma e ushqimit ngop aspiratorët e apartamenteve,
ballkonesh gugasin orët e mbrëmjes,
kafja u sos,
dhe cigares iu sos filtri,
shpërbëhen e thërrmohen identitete,
diku avujsh zë gjumi një vegim,
diku zbrazet gota si një cikël jete,
mungesa,
mall,
karriget bosh,
në tavolinë numra të mpirë,
lugë,pirunj,pjatat plot,
rituali të ndjek si pamëshirë,
harron ankesat,
lodhjen,
vë buzën në gaz,qerpikësh në lot,

portret femëror,
imazh i ditës sot.
/QendraPress/