Fryma poetike e së dielës me poeten:-Drita Rubjeka ZENELI

Lulet e nënës

————————————

Nënë e quajta luleborën në oborrin e fëmijërisë,

Boçelule plot e nëna kujdesej si për bijtë,

Gjithherë më dhuroi buqeta lulenënë,

Lulebora boçediell e boçehënë.

Luleborën e oborrit vendosa në mermerin e prehjes së babait,

Me ngjyrë zemërnënë, e bardhë, e purpurt, rozë,

Si dashuria e tyre në shumëvitet bashkë,

E si dashuria e tyre në rritjen tonë.

Nënë e quajta luleshqiponjën në oborrin e fëmijërisë,

Shqiponjë, si nënat për bijtë, shqiponjë,

Nënë i kam thirrur të gjitha lulet në oborr,

Lulepaqe si nënë, lulet me nënat ngjasojnë.

E tash, u zbehën lulet nënë, u thanë lulëzimet e oborrit,

Duket se bashkë me nënën ikën larg,

Oborri i fëmijërisë nuk është më i bukur,

Edhe porta e madhe e gërvisht dhimbjen kur e hap.

E unë lulet e oborrit i mbolla në kodrinën e përjetësisë tuaj,

Në prehjen tuaj bashkë, si përgjithherë bashkë,

Në oborrin tuaj të përjetësisë mbolla dhe lule gladiolë të bardhë,

E thirra nënë, i pagëzova AtëMamë.

/QendraPress/