Fryma poetike e së dielës me poeten:-Elmije AJAZI

PIKËZA SHPIRTI
( shkëputur nga përmbledhja )
————————————–
Në dritën e zbehtë të vetmisë,
kur koha ndalet në qerpikët e natës,
e ndjej një frymë që s’ka trup,
por rri mbi mua si puhizë drite.
Ajo vjen nga thellësitë ku fjalët nuk shkojnë,
nga një vend pa emër,
ku shpirtrat janë si yje të harruar
që ende kujtojnë zjarrin prej nga kanë rënë.
Pikëz shpirti —
rrëshqet mbi damarët e mendimit tim,
si ujë i shenjtë që s’e sheh askush,
por që më zgjon çdo herë që bie.
Ajo më mëson se s’jam vetëm mish,
as kujtim, as ëndërr e huaj,
por frymë që kërkon kthimin,
tek ajo dritë që s’ka fillim,
as fund.
Kur mbyll sytë,
ajo më flet pa zë:
“Mos kërko qiellin lart —
ai është brenda teje.”
Dhe unë hesht,
se çdo fjalë do ta prishte atë ndjenjë,
atë dridhje të imët që më mban gjallë —
një pikëz shpirti,
në detin e amshimit.
/QendraPress/

