Fryma poetike e së dielës me poeten;-Esmeralda BREGAJ

Një lule çeli në lot

—————————-

E mora zemrën në dorë,

E lehtë si pendë pëllumbi,

U kacavirr në gjemba e shtungje,

Atje ku s’më zuri plumbi.

U ngrita si lisi në këmbë,

Kuptova – ah, paskam qenë pa mend!

Se plumbin e kisha në mend,

Xhelozia më kishte çmend.

Mblidhu, ujë i burimit,

T’i japësh dritë vegimit.

Aty rrokullisur gabova,

Aty zyrtarisht u lëndova.

Sa të lënduaka kur kapërcen krenarinë si kafshatë

Të ngurtë,

Të dhëmb,

Të mbyt,

Nuk të ngec në fyt!

Dhe flladi i mëngjesit

Më zgjoi

Pa puthje e përkëdheli,

Se me hënën kishin bërë tregti.

Ta pësojë e mësojë ky brez i ri!

Uratën ia kërkova fajit,

Kur me lot i preka ballin,

E lashë të lirë prej lëndimit,

Mes shpresës dhe mësimit.

U ula këmbëkryq me jetën,

U llafosëm pa dorashka.

Më duhet një dru i mirë—

E dashka njeriu, e dashka!

Mora zemrën në duar,

Peshoke, moj e uruar,

Hajde, bëhu mike,

Unë do të jem besnike.

Të fal gabimet? S’mundem dot!

Jam thjesht njeri,

Për atë Zot,

Nuk bëhem dot Zot!

Por të premtoj, në jetë e mot,

Për ato germa që i shkrova me lot—

Xhelozi, mos pastë në botë!

Një lule çeli në lot, sot…

/QendraPress/