Fryma poetike e së dielës me poeten;-Farie BISHA

Në fijet e fatit…
—————————–
Penelopa endte ditën
si merimanga rrjetën e mëndafshtë.
Natën shthurte pëlhurën
ndër vite të tretura mes fijesh trishtimi.
Odiseu lundroi disa dete larg,
por i mbështjellë nën hije mendimesh,
me Itakën lidhur mbeti.
Në rrjetën e fantazisë së saj,
Cirçja peng i vetes ngeli,
në ishullin e largët.
Sirenat prisnin gjahun,
me zërat e tyre edhe të vdekurit mahnitnin
Mjerë kush i dëgjoi
e humbi udhën e kthimit në tinguj mishngrënës.
Në gjithë marramendjen:
tërheqje, dëshira, zhgënjime,
kërkime e humbje,
kush fijet i lidhi dhe veten gjeti?
Fati në drejtime të kundërta kaloi,
në paralele e kryqëzime, perëndish armike.
Më shumë vuajti ai që e ndoqi
dhe u tret si akulli i korrikut
në pritjen e tij, i ngrati.
Dikush mori atë që mundi,
tjetri, në heshtje, ashtu iku…
I ngatërruar mes fijesh të veta,
ndoshta fati ka një plan…
ndoshta edhe lundrojmë në bordin e tij
me busull shpirti…
Farie Bisha Luzern 29.3.2025
/QendraPress/