Fryma poetike e së dielës me poeten:-Farie BISHA

Formulat e jetës
——————————
Kur lind një pyetje,
pa dyshim vjen edhe një e dytë.
Rezultati: shumë pikëçuditëse,
në kërkim të përgjigjeve më sipër.
Çudia, kur takon çudinë,
në mënyrë spontane e pa frikë,
shumohet dhe sjell njëqind e një të tjera pyetje.
Formulat e shenjave më tërheqin,
sepse matematika është racionale,
ndërsa përditshmëria e kthen gjithçka në formula abstrakte.
Për të bërë kompromis mes tyre,
shtoj gjithmonë një plus nga zemra.
Qoftë në mënyrë të drejtë apo të zhdrejtë,
pyetjet, me kohën, shkojnë drejt zgjidhjes…
Zbres në minus ndonjëherë tjetër.
Për çudi, minus plus minus,
në pozitiv ecën.
Interesant, mendova:
mangësi pas mangësie,
dhe prapë, diçka në pozitiv arrijmë ta mbushim.
Me gjithë këto formula,
për t’u orientuar duhet të pranoj:
matematika ka rregullat e saj të sakta.
Për të përballuar ekuacionet e vështira të jetës,
zgjedh për ndihmë dhe ato të imagjinatës…
/QendraPress/