Fryma poetike e së dielës me poeten:-Kimete DURMISHI

RRUGICA E NËNËS
————————–
E mira nënë, sot kam ardhur tek ti,
Në rrugicën e shtëpisë – ti s’më pret më si dikur.
Në këtë shteg të magjishëm dikur ecja fluturim,
Me ëndrrën e përqafimit tënd që më priste në fund.
Nga lumturia, sytë s’më shihnin gjë tjetër,
Rrezet e diellit më mbanin pezull mbi tokë.
Por nënë, kjo rrugë sot qenka shkretuar,
Zymtësia dhe retë janë bërë pluhur gri.
Ku mbetën ato rreze me ngjyra të arta?
Më lanë vetëm, mes mërzie dhe lotësh.
Ku humbi gjithë ajo magji e dikurshme?
U tret e gjitha – bashkë me ty, në varr.
/QendraPress/