Fryma poetike e së dielës me poeten;- Laura LAURA

A e njihni Sarandën e vjetër?
—————————————–
A e njihni Sarandën e vjetër,
atë me shtatë shtëpi mbi gji,
ku vetëm deti i lante kodrën,
dhe qetësia flinte në Plazhin e Ri?
A i njihni pllakat e saj të vjetra,
me bukuri antike, shekullore,
ku të dashuruarit flirtonin detin,
pa hotele, pa shëtitore?
A e njihni Sarandën e vjetër,
kur bukoviljet zbardhnin rozë,
pa mure guri, pa plagë betoni,
bukuri që s’fshihej nën rogoz?
A e njihni Kanalin e Çukës,
kur lumi me detin përqafohej lehtë,
më tej vaskat e midhjeve prisnin:
-vetëm ne ua dinim shijen e vërtetë?
Në guaska të freskëta madhëroheshin,
thitheshin si polen në dashuri,
një shije deti, një mall i gjallë,
që sot veç kujtesa e di.
A e njihni ju detin tonë,
nga shkëmbinjtë rrethuar plot,
me frangofiq të ëmbël e të egër,
të kultivuar nga dora e Zotit?
Nuk e njihni ju, jo Sarandën time,
perëndeshë në breg të Jonit,
tani që e patë, e shijuat pak,
si bunker të mbyllur prej betonit.
Ju xhiron e darkës veç bëni,
në mbrëmjet e nxehta të korrikut vonë,
nën hije gradaçelash Hëna është fshehur,
e netët mbyten në zhurmë e ton.
Dikur parajsë ky qytet ishte,
zanat vinin rrotull, pa fjalë,
sterniperët e Piros shijonin cigaren,
në Plazhin e Ri ku s’kishte dallgë.
I hodhën betonin parajsës së gjallë,
bukoviljet i varrosën nën kep,
nën themele betoni u mbyt bukuria,
margaritarët u fshehën në xhep.
Në kujtesën time gjithmonë do të rrijë,
Saranda me shtatë të vjetra shtëpi,
nën bukovilje rozë mbi kodrën e lashtë,
dikur parajsë, dikur Perëndi.
Migel Flor
/QendraPress/