Fryma poetike e së dielës me poeten:-Mercedes GEGA

E pranoj
——————————
Unë jam e zakonshme.
Një shpirt i thjeshtë.
Një grua që dua të dashuroj çdo ditë.
Lule që rritet vetëm në diell.
E pranoj
Jam e rëndomtë dhe pak prozaike
Ndër ato që shpirtin bëjnë varkë dhe mbërrijnë pafundësitë
Vetëm për dy gramë dashuri.
Vëmendja më rri ngushtë me hapin e shkujdesur
Ndaj shpesh mbaj veshur këpucë të tejdukshme ere.
Ndodh shpesh të flas me heshtje
Mungesa ose poezi
Jam vetëm një grua dherash të përzierë
Lindur në vitin e brishtë:
Dashuri.
/QendraPress