Fryma poetike e së dielës me poeten:-Merita GRUDA

Dy  poezi

Gjeografi

——————————–

Në viset e tua,

Drini del rrëmbyeshëm,

shkumon e zbardhon

e ngre n’ajri avuj të ylbertë,

tërbohet në theqafje shkrepash

e madhështi grykash që të lënë pa frymë.

Në viset e mia,

Drini vjen trazuar

në shtjellat e veta vlon

andrra bjeshkësh e dritash t’argjendta

ndizet e përndizet

në et’ fushash e ujërash të jeshilta Bune.

Nga viset e tua në viset e mia

Drini sjell mallin

e Bunës ia fal në përqafim.

E ashtu,

kapërthyer mallesh,

Drin e Bunë,

kridhen në det

e gjejnë paqtim.

Kur stina bulon me buzëqeshje

——————————————–

Trung i errët, ngjyrë dheu

i zymtë si toka në dimër

ndryn jetën

Limfa përrall rrëfenja me dritë

e ndez dëshira te degëz e re

sythi buthton prej puthjes me diell

lëng i jetës dridhet ngrohtësie

e stina bulon buzëqeshje

mbi degëzën

që shpërgjumi e para pranverën.

/QendraPress/