Fryma poetike e së dielës me poeten:-Mira Zaho MËHILLI

Heshtja dëgjohet

————————–

Ndrydhur gjuhës,

kundërshti e paudhësisë,

mpirë pamundësisë

për të reaguar, e pazë,

nën frerët e heshtjes flet.

Tkurrur skutave të fytit,

si sfidë ndaj trysnisë,

ku lakoni e gjuhës,

shteg nuk gjen,

ku fjalëve të xhevahirta,

u zbehet shkëlqimi,

heshtja, përçmimit

të shpirtit mjeran flet.

Heshtja, si refleks

i emocioneve të brendshme,

me madhështinë

e mendimit të thellë,

pa ngurim, bindshëm,

dëshpërimin mposht.

Me gjuhën e intolerancës,

ndaj çorbës bajate,

që shpirtin helmon,

distancimit heshtja flet,

si sinjal i deshifrimit

të së vërtetës,

pashmangshëm

arrin të dëgjohet.

/QendraPress/