Fryma poetike e së dielës me poeten;-Sadbere Gagica  SPAHIJA

Zëri nga përtej

—————————–

Mos më kërkoni në varr,

As në kujtim,

As në heshtjen që mbetet pas emrit tim.

Unë jam era që prek ballin tuaj kur mendoni për mua,

Jam fryma që ngre gjethet kur ndaleni në mendim.

Mos më qani me sy,

Më kërkoni me zemër.

Sepse kuptova vonë,

Jeta nuk është frymëmarrje,

Por ajo që lë në frymën e tjetrit.

Koha?

Ajo është rrethi që e vizaton shpirti vetë,

Kur përpiqet të kuptojë pse.

Pas vdekjes qëndronte vdekja,

Por përtej saj…

Qëndronte drita,

Ajo që nuk verboi,

Por më mësoi të shoh.

Tani jam këngë në erë,

Jam dritë mbi ujin që dridhet,

Jam hije që buzëqesh në kujtesën tuaj.

Dhe nëse ndonjëherë ndiheni vetëm,

Dëgjoni orën që hesht

Ajo flet me zërin tim.

Sepse çdo fund është thjesht një frymë që kthehet,

dhe çdo vdekje…

Është mënyra e shpirtit për të mësuar të jetojë më thellë.

/QendraPress/