Fryma poetike e së dielës me poeten:-Selvete Dervishi NIMANI

Tahir Meha
——————–
Eu Drenicë, me kullë prej burrave,
Besa jote — një ndër të parat,
Që këmba e shkaut mos të shkelë këto troje,
Janë betuar të mëdhenj e të vegjël — si malet.
Pushka e Tahir Mehës si rrufe gjëmoi,
Në trojet shqiptare ndezi flakën e lirisë,
Prekazi u bë zemra që kurrë s’u mposht,
E Serbia u drodh nga fuqia e trimërisë.
Brez pas brezi luftën e vazhduan,
Krisma e lirisë ata veçse i forcuan,
Amanetin e të parëve e çuan në vend,
Se këmbë e armikut më këtu s’merr vend.
Në Prekaz rriten burra si shkëmbi,
Që nuk i tremb as plumbi, as flaka,
Gjaku i tyre u bë kushtrim për liri,
Nga legjenda u shndërruan në harta.
Nga Mehajt te Jasharajt u trashëgua besa,
Një flamur që nuk u nda nga dora,
Ata ranë, por liria u ngjall me gjak,
Në çdo zemër shqiptare rreh zemra e tyre sot e mot.
Ndal, armik, se këtu ka burra,
Që s’frikësohen, kurrë nuk përkulen,
Prekazi s’bie, historia marshon,
Brez pas brezi, flamuri i lirisë valon!
/QendraPress/