Fryma poetike e së dielës me poeten:-Teuta BIÇAKU

Fëshfëritje

——————————–

Në një pyll ku pemët flasin me fëshfërima kodesh,

unë lashë zemrën time varur në një degë,

si një shall që pret duar të ngrohta,

por erdh’ era dhe aromën time e degdisi tej.

Mendova se yjet kishin sy për të parë,

por disa panë mjegull e panik,

aty ku unë kisha fshehur shpresën

nën fletë të njoma limoni, a në ndonjë lis.

Një bletë i tha tufës kureshtare

se mjaltin që solla, burimi s’e ka.

E zërat u shtuan si zhurma e një lumi

që nga shtrati doli e lule tokës nuk la.

A u drodha? Si gjethe në prag stuhie.

A qava? Si reshjet kur bien pa leje.

Por vetja ime, që nuk më braktis

më foli si dritë në heshtje.

“Mos u bëj flutur që shpjegon ngjyrat e saj,

teksa fjalët era e mbrapshtë i merr .

Nuk ke nevojë të shpjegosh,

pse hëna ndriçon edhe kur nuk është diell.”

/QendraPress/