Fryma poetike e së dielës me poeten:-Valbona AHMETI
PSE HESHTË?…
—————————————
Buzëqeshja buzëve të dridhet
Për shëndetin që të rëndohet
Yjet në qiell gërhasin
Për arsimin që t’a vrasin
Mbi durimin tënd bie shi mërzitshëm
Si vaj violine tingëllojnë brigjet e shpresës për të pagjeturit
Pas kreshtave të maleve nuk shihet perëndimi magjik i diellit
Hordhive mu në zemër që iu ngrenë tempuj
Hëna nuk fle mbi liqenin e qetë
Për dhimbjet tua vargu migjenian
edhe sot flet
Lulet tua pranverojnë nëpër botë
Vetmia muret e shpirtit t’i godet fortë
Tani në hapësirën e lirë luajnë figura mistere
T’a shesin shpirtin e dëlirë
E vrasin me politikën qorre
Si bubullimë para shiut me djersën e pistë
Ngrenë ura të rreme
Pse heshtë?…
Më thuaj të paktën një fjalë
Cila plagë të dhemb
Jepi fjalës fuqi, lartësoje
Brenda saj ke dashurinë
Që të rimëkëmb si një Hyjni
Pse heshtë?…
Unë si shtegtare e fatit
Shëtis botën anë e kënd
Ndihem e huaj
Kthehem mbështes kokën
Mbi gjoksin tënd
Nga frymarrja jote e ndjej që më thua
Vetëm dielli im të nxeh
Ti qëndron Kurorë mbi të gjitha Dashuritë e mia
Atdheu im!
/www.QendraPress.com/