Fryma poetike e së dielës me poeten;-Valbona HADRI

Shkolla qē nuk duket më

————————————-

Cicërimat e bilbilave u shndërruan në harresë,

ndërsa lisat e rinj u bënë më të vjetër.

Pas pak edhe fshati filloi të shurdhohej.

Gjarpërinjtë e harresës

zunë të shfaqeshin mbi mure.

Thonë se vdekja fillon me afrimin e gjarpërinjve.

Kishin ikur fëmijët me abetaret e blerta në duar,

ndërsa rrugët i kishte mbytur balta.

Shkronjat e librave nisën t’u

ngjanin milingonave të shkretëtirës,

që s’dihej nga dilnin dhe për ku nxitonin.

Ka çaste kur nga qielli rigon një pluhur i verdhë,

që ta humb shikimin.

Çdo natë kujtimet marrin pamje

bilbilësh dhe zërash të blertë,

por kjo zgjat pak.

SHKOLLA nuk duket më.

Vetëm një zile tingëllon herë pas here,

sikur do të flakë ndryshkun e dhimbjeve

dhe të trembë gjarpërinjtë.

/QendraPress/