Fryma poetike e së dielës me poeten;- VIOLETA KADRIU

FLUTURO DHE SOT, POEZIA IME
————————————————-
Fluturo dhe sot, poezi,
nektar i zemrës sime,
që më gufon nga shpirti,
si më i zjarrti vullkan,
kapërce e përqafo male, fusha, dete,
qiell, diell, hënë e yje,
bashkohu e vallëzo me dallgët
në më të kaltërinë oqean!
Dalldisu sot vargu im ,
me afsh zjarri rinor,
me krahë t’ fildishtë bekuar nga
Zoti, që veç Ai ka ditë të t’ i qëndisë,
tregoja gjithë botës mbarë,
forcën e shpirtit tënd të bardhë borë,
se si flet e shijon gjuha shqiptare
e ëmbël e poezisë!
Mos ndalo sot, vargu im rrugëtimin,
qëndro para çdo lapidari,
përkulu para çdo altari,
ku trimat tanë ranë dëshmorë,
qëndis për Ta poemën më t’ bukur,
me vargje dardane prej ari,
mos harro se jetuan e
e dhanë jetën çdoherë me armë në dorë!
Mos lë sot, poezia ime,
pa vizituar asnjë shtëpi,
ku qesh a qan fëmijë,
me prindër apo bonjak,
të gjithë një nga një,
në varg dua t’ i përfshij
e nga një përqafim e buzëqeshje,
përmes teje t’ ua lë në çdo prag!
Mos gabo, poezia ime,
sot tek një vend mos të ndalesh,
në një vend ku dhe dhembja qan,
si zog mbyllë n’ kuvli,
aty të lus të gjunjëzohesh,
të lutem të lutesh e të falesh,
se aty pushojnë eshtrat
e t’ bekuarve prindërve të mi!
Ishte Ai, që tani pushon në atë varr,
Babai im, poeti,
që penën e artë të poezisë,
i pari në dorë ma dha,
“-Para vargut të shpirtit, bijë,
gjunjëzohet, po t’jetë i drejtë dhe mbreti”,
para se të shkonte në amshim,
këtë amanet e këto fjalë m’ i tha!
Ndalo sot, për ditëlindjen tënde, poezi,
te të gjitha këto vende,
siç je ndalur qëkur të shkruaj,
me dinjitet e nder,
tregoju se zemra ime
s’ka pushuar së rrahuri ende,
e do t’ shkruajë për ju gjithmonë,
sa të ketë dimër e verë!
Se, edhe një mijë jetë,
Zoti po të m’ i falte,
dhe po që se të njëmijëtat
do t’ m’ i ngujonin me dry,
asnjë forcë a stuhi
mua s’ do të mundë të më ndalte
POEZIA SHQIPE të të shkruaj
e të të dua ty!
/QendraPress.com/