Fryma poetike e së dielës me poeten:Alma ZENELLARI

STINË E RE..

———————–.

Krijo një stinë të re,

lindur nga liqejtë e thellë të syve të mi,

që presin me padurim

në bregun e pritjeve të gjata, ty.

Lindur prej buzësh të etura,

krijuar prej boçesh të pjekura puthjesh

që përskuqin

manat e egër duarve të tua…

Krijo një stinë të re,

me aromë të prushtë trëndafilash,

çelur mbi gjurmë kaprollesh këmbëholla…

Nuk e di!

Nuk e di

në do mundesh

të krijosh një stinë të re

me dallgë të bardha përqafimesh ,

me krahë dhe flokë prej reje

dhe mjellmash të hutuara,

që fërgëllojnë me lindjen e diellit

duke thithur dritë…

Një stinë të re,

për mua

lindur e tëra prej gjelbërimit…

/QendraPress.com/