Fryma poetike e së dielës me poeten;Drita Rubjeka ZENELI

Uverturë
——————————-
Duke kërkuar një uverturë,
U ula në një fillesë agditësh,
Në relievin e lëndinës peizazh,
Në substancën e klorofiltë diellore,
Një libër të hapur gjeta,
Lënë nga poeti,
Dhuruar piktorit si muzë,
Me fletë si cipa e venave të jetës,
Mbështetur në gurë,
Skalitur në ngjyra alpesh,
Mbuluar me qiell,
Panoramë e paqtë,
Si portret i kohës,
E gurgullimë psherëtimash,
Kur ngjyrat zbehen,
Duke kërkuar një uverturë,
U shfaq një opera me të gjitha aktet,
Si rrjedhë pas uverturës,
Në kapituj si vazhdë përjetësie,
Duke kërkuar një uverturë,
Të kornizova ty, njeri,
Plotfuqia e tokës….
/QendraPress/