Fryma poetike e së dielës me poeten;𝗠𝗶𝗺𝗼𝘇𝗮 ÇOBO

𝗞𝘂𝗿 𝗻𝗷𝗲̈ 𝗴𝗿𝘂𝗮 𝘁𝗲̈ 𝗱𝗼…
——————————-
Kur një grua të do, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
spërkat me bulëza uji, zambakët e pritjes së gjatë.
Kur një grua të do, lumturia troket në derë,
dimri me flokë ngrice nga dritarja del,
se dashuria e një gruaje kthen dimrin në verë,
gonxhes së paçelur, me frymë i thotë, çel!
Kur gruaja loton, si reja në vjeshtën e parë,
ti mblidhi gjithë ndjenjat në tufë jargavan
shtratin martesor, bëje luadhin e ëndrrave të saj,
sa t’i japësh një puthje, ajo dashurohet prapë.
Shpirti i gruas engjëll, s’ka mister nëpër fletë,
është besnike fronit, ku ulur presin të tjerë,
nëse e do me zemër, s’ngrihet sa të ketë jetë
edhe vdekjen ëmbëlsisht sipër fronit e pret.
Kur të do një grua, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj, të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
një bulëz uji nga shpirti i saj, ushqen një oqean.
/QendraPress/