Fryma poetike e së dielës me poetIn;- Hatip HULAJ

TE LUMI NË EGLISAU
—————————-
Dje dola të shëtis pranë lumit,
në heshtjen e butë të vjeshtës.
Nga drunjtë binin gjethe të arta,
disa më prekën në faqe,
të tjera u shtrinë në bar,
disa u zhdukën në ujë ngadalë.
Rajna rridhte qetë,
i madh, i thellë, i heshtur,i huaj,
sikur mbante kujtimet e të gjithë
mërgimtarëve
që e kishin parë njëherë dhe
kishin heshtur nga malli.
Qielli ishte i kaltër,
por unë isha si në mjegull.
Një mjellmë e vetmuar u afrua,
më shikoi gjatë,
sikur të më njihte.
Në sytë e saj pashë një pyetje:
pse njeriu ndjehet vetëm
edhe mes kësaj bukurie?
Ndoshta sepse shpirti
s’di të bëjë udhëtim tjetër,
veç kthimit –
atje, në vendlindje.
/QendraPress/