Fryma poetike e së dielës me poetin;-Leonard PIPA

PËRLUTJE

——————–

Këtu në shpirt si zjarr më ndez,

I lutem Atit në mëngjes,

Pashpresë i lutem se jam gjallë,

Me shpirt në dhëmbë, me këmbë në varr,

Për zjarr të ri, për afsh Epiri,

Që na buron të dy nga gjiri!

Këtu në dhe mbi argjend gjethesh,

Ku gjëmbi shpon, të zgjon e ngjethesh,

Mbi gur të shkrirë nga lotët e grave,

Rrethur armiq të gjitha krahëve,

Pranë varrit të mbretit në Dodonë,

Nga rrahjet zemra më gjëmon…

I lutem Atit tim prej reje,

Një shenjë pres si çark rrufeje,

Pres një gjëmim prapë të më trembi,

Era e çartisur të më dhembi,

Mëkat i shiut tej inatit,

Mbi pallton e grisur të fshatit…

Në flakë përjetësh i mosbesuar,

Jam ulur sot me kokë në duar,

E pres e pres të më jap shenjë,

Të ma shkul shpirtin me gjith rrënjë!

E pres e pres të çahet mali,

Nga burgu i heshtjes Ai të dali!

/www.QendraPress.com/