Fryma poetike e së dielës me poetin:Imer HYSA

SHTËPITË E MËHALLËS SË VJETËR

—————————————————-

Odat e burrave heshtin, nuk shtrohen sofra

oxhaqeve nuk ndezin zjarre gratë.

Heshtja ulur këmbëkryq mbi pragjet e ftohta

pushtetin shtrin mëhallës sa gjërë-gjatë.

Oborreve të shtëpive nuk luajnë fëmijë

se në oda të martuarve nuk flejnë më çifte.

Shtretërve bashkëshortorë nën tavane grinjë

çiftëzohen vetëm insekte dhe dallëndyshe.

Portave nuk trokasin më miq të largët

shtëpive vetëm emri u mbeti “shtëpia e filanit”

Të zotët e moçëm bëjnë gjumin e gjatë

në shtëpi mermeri, hije qiparisash a qarri.

Mëhallës prej vitesh i venitet zëri njerëzor

nga braktisja si në ditëzezat e qametit,

Pasardhësit i’a zuri mallkimi i lashtë

ai pagan: – “U pafsha matanë detit”.

Në mëhallë ndonjë i moshuar i mbetur

pret ndonjë kalimtar që rrallë rruga i bie

Me bujari ti ofrojë së pakti një gotë ujë

apo një filxhan kafeje e një gotë rakie.

Prej vitesh shtëpitë dihasin, s’mbushet me frymë

nga rënkimi e malli për të gjallët po u soset durimi.

Nga dhimbja dhëmbët shtrëngojnë trarët

e mureve u çahet shpirti nga mos rikthimi.

Nuk ka oda burrash të shtruara, as oda të martuarish

nuk shtrohen më sofra, as fëmijë s’ka të lozin në oborr

Rrugicat s’kanë hapa, ndjejnë heshtje të larguarish

mëhalla vuan dhembjen e braktisjes që vazhdon.

Sa breza lindën dhe u përkundën në djepe

dhe sa brezni i mbajtën me jetë mëhallët,

Malli heshtjen shtyn ta nxjerrë nga pragjet

të rikthejë dashuritë, këngët, përrallat..

/www.QendraPress.com/