Fryma poetike e së dielës me poetin:Ragip GJOSHI
MË KA MARRË MALLI PËR BUKËN E NËNËS
1.
Nga malli për bukën e nënës,
Në ëndërr shijova aromën e saj,
M’u shishmua bukë e nënës;
Si lundër hyri nëpër damarë,
Në skenën poetike të teatrit lirik…
Buka e Nënës-bukë plot shije,
Bukë autentike, nga duar të arta, me porosi:
Pash bukën,dijeni mirë, e mos harroni!
Se kush e ka bukën, e fiton luftën…!
Pasha bukën e krypën!-betohej babai,
Buka për fëmijë të çon në derë të hasmit!
Por,buka ta ngrit zërin sa pushka!
Kosovën e shpëtoftë buka e dhënë!
I vraftë buka ata që me sherr e ka ngrënë!
Toka arbërore-tokë bukanike,
Plot ara që rrisin të gjitha bereqetërat…
Seç më zuri malli për bukën e nënës,
Pasha bukën që nëna ime gatuante:
Bukë elbi e bukë kallamoqi,
Bukë e përzier me grurë e thekër,
Bukë e përzier grurë e elb…
Bukë mbrume,bukë pogaçe,
Kulaçin e buzmit –bukë të bekuar,
Psheshi me tambël për Shën Gjergj…
Andaj i këndova bukës së nënës,
Mallë ndjeva për bukën e kallamoqit,
Që vinte si dhuratë e Zotit,dhe babait,
Toka,qielli,zoti,babai e nëna e bënë bukën…
2.
Ara të gjyshit qofshi të bekuara,
Arat me misër të bardhë kryelartë,
Ku buzëqeshja e babait lahej në djersë…
Kur kujtoj Pranverat kur mbillej misëri,
Atje ku kam ngjyer kafshoren e skamje;
Ku rrita shtatin me misërnike çerepi,
Të larë në djersë çdo kafshatë…
Sa herë kujtoj bukën e fëmijërisë,
Kujtoi misërnikën tek avullonte,
Babi hallall ne fëmijëve na e bënte bukën;
E ne borxhlinj jetësor për mundin e tij në ara!
Brezat shtegëtuan me bukë në trastë,
Në Kulla shtrohej sofra:Bukë,kripë e zemër!
Bukë e lashtë -bukë çerepi;
Bukë misri-misërnike e bardhë…
Duart e bardha të nënës ngjeshnin bukën,
Aromë misernike e ngrohtë,
Edhe misërnikja korefortë e ëmbël-
Përbihej me tambël të bardhë delesh,
Me mjaltë nën gjuhë-bukë e varfnjakëve…
Një copë misërnike mbi gërxhe,
Një zemër mikpritjeje nën hije lisash;
Brumë i ngjeshur-i pjekur me saç
Në Sofër e shtruar pa hile…
Kapërcyem mote me rrëbeshe ndër shekuj
Vite të urisë të pagëzuara ishin-
Dita e Bugarit –dikush i pati thanë…
Dita e Vishakut – teprica i quanin
Vuajtëm edhe për bukë,
Na lanë pa bukë në gojë,
Na e fshinë edhe miellin në maxhe!
Amanet më ka lënë babai:
Buka pa përtypur e fjala pa menduar,
Kurrqysh nuk kapërdihet…
Bukë si të nënës nuk e gjen në dyqan;
Sa herë thyej bukën në sofër e kujtoj,
Pasha bukën e nënës…!
Djali në djep si buka në çerep rriten,
Por,kujdes se,buka që thyhet nuk ngjitet,
Thonë kudo ku i thonë bukës –bukë;
Bukëbardhë-emër i bardhë u rritëm,
Bukëdhënës-zemërbardhë e plisbardhë…
Janë disa mote ndër shekuj,
Kur na morën bukën ta harrojnë djathin!
Janë do bij të kësaj toke që kanë hallall bukën,
Janë disa që e kanë gojën veç për bukë-
Disa të tjerë e paçin bukën haram…!
Drenicë, më 6 dhjetor 2024
/www.QendraPress.com/