Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Raimonda BRAHA

VALET E DRINIT
————————–
Valët e Drinit flasin me gurë të lashtë,
si gjuhë gjaku në damarët e mi
mali mëson emrin tim pa fjalë
e malli më rritet plagë e bukur si stuhi ..
Në brigje derdhet koha si lot i heshtur,
atdheu më thërret në çdo frymëmarrje,
dashuria s’është veç fjalë, por barrë e shenjtë,
që e mbaj si dritë në shpinën e mërgimit-të ftohtë…
Drini rrjedh si mendim, filozof i vjetër,
asgjë s’ndalet, por gjithçka kujtohet,
jeta është valë ,lind, thyhet, tretet tjetër,
veç dashuria për tokën kurrë s’harrohet.
Mbi male ecin hije brezash pa varr,
emra të gdhendur në erë e gur,
patriotizmi s’është britmë,
por zjarr,
që digjet qetë në shpirt të burrëruar plot bese e nder …
Lotët s’janë dobësi, por kripë e kujtesës,
që ruan plagën nga harresa e ftohtë,
malli është urë mes sotmes dhe djeshmes
ku zemra kalon zbathur, por e fortë.
E kur të shuhem si valë në largësi,
le të më mbajë Drini në këngën e vet,
se jam bir i kësaj toke, në përjetësi,
ku dashuria, dhimbja dhe shpresa bëhen jetë.
Raimonda Braha
/QendraPress/