Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Abide GASHI

KUR

——————-

Kur…

do të lindë në këtë tokë

një djalë i mbarë,

të ngrihet një burrë shteti

me besë të pathyer,

që Atdheu im

të shohë dritën e bardhë,

dhe nata e gjatë e padrejtësive

të tretet si mjegull në agim.

Kur…

do të zgjohet dashuria

në këtë dhe shqiptar,

që duart tona

të punojnë me djersë e nder,

e fëmijët tanë

mos t’i marrë rruga e kurbetit,

por pranë Nënës

të rriten si lisa në tokë me vlerë.

Kur…

vëllai do ta shohë vëllanë

si gjakun e vet,

jo si armik për një mexhë,

për pak para

apo për një karrigë pushteti.

Kur fjala e burrit

të ketë peshë mali,

dhe nderi

mos të shitet si mall pazari.

Kur…

do të kujtojmë me krenari

kohët kur njerëzit

ishin një zemër dhe të një bese,

kur për Atdheun

falnin gjithçka,

dhe dorë për dore

e çonin vendin drejt shtegut të një drite.

Kur…

nënat nuk do të qajnë më në heshtje,

baballarët nuk do të thinjen nga brengat,

dhe zogjtë e kësaj toke

nuk do të marrin rrugët e botës,

por kënga e tyre

do të mbushë oborret

dhe dritaret e shtëpive tona.

Kur…

historinë nuk do ta shkruajnë injorantët,

as rrugaçët me pushkë në dorë,

kur vendin tim

nuk do ta udhëheqin huliganët e tradhtarët,

por njerëz me ndërgjegje

që e duan Atdheun

si diellin kur lindë në agim.

Dhe atëherë…

kjo tokë e plagosur

do të marrë frymë si një zemër e lirë,

dhe mbi të

do të lindë një agim i ri.

Por deri atë ditë

zemra ime

do të vazhdojë të pyesë

si një kambanë që s’pushon!

KUR…

do të bëhemi të denjë

për tokën që na lindi?

16 Mars 2026, Mitrovicë

/QendraPress/