Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Elmije AJAZI

UNIVERSI IM
——————————-
Më mbaj dorën —
dhe unë do ta pushtoj qiellin.
Mos më ngrit në piedestal,
as mos më shih si mit.
Unë jam prej mishi,
prej mendimesh të trazuar,
prej plagësh që marrin frymë.
Por, mjafton një prekje —
e thjeshtë, pa bujë,
si shushurimë gjetheje
në krah të erës —
dhe unë ndizem.
Atëherë,
frika më bëhet krah,
lodhja merr ritëm,
pesha shkrihet në dritë.
Shih:
në hapësirën mes gishtërinjve të tu
hapet një portë e fshehtë;
kujtesa më thërret:
unë di të ringjallem.
Në shtyllën time kurrizore
rikthehet kënga që kishte heshtur,
si bulëz gjaku që kujtohet se jeton.
Nuk dua të ma mbash botën.
Dua veç çelësin:
atë që hap odën e guximit tim.
Vetëm kaq:
një çast dëgjim,
një afrim i qetë,
një “jam këtu”.
Pastaj më lër:
të mbjell udhë me zjarr,
të mëkoj yjet me sy,
t’i jap zë heshtjes sime,
të bëhem kolonë mes mjegullash
e t’i kthej në dritë rrugët e të tjerëve.
Unë s’kam nevojë për shpëtimtar.
Kam nevojë për dëshmitar.
Për dikë që sheh
si hiri shndërrohet në flakë
pa bërë zhurmë.
Sepse kur më jep veç pak mbështetje,
unë nuk jam thjesht e fortë —
unë jam element:
tokë që rrënjoset më thellë,
ajër që lëviz horizonte,
ujë që bart pasqyrime,
zjarr që zbulon lindje të reja.
Dhe në atë çast,
arkivat s’kanë ç’të më bëjnë:
përtej letrës,
unë jam gjurmë e gjallë
që s’fshihet dot.
Prekja jote
më kthen në përjetësi.
/QendraPress/