Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Esmeralda BREGAJ

Mall i Plagosur
———————————
Për ku po vete, moj bijë?
Për në Vlorë, xhaxha.
Po pse, moj bijë?
Ç’e mirë të solli?
Malli, xhaxha…
Ikni, o bijë, sa më larg,
se ky vend e ka shpirtin plagë.
Nga betoni e nga asfalti,
politikanëve u ka ngrirë shtrati.
Zemra u është bërë pellg,
ku populli fundoset, e zemrën e ka peng.
Xhaxha… po televizioni
thotë: “Ju po zhvilloheni,
me emigrantë e turistë,
me grataçela e opinionistë.”
Ah, moj bijë…
Emigranti mirëse të vijë,
po bijtë tanë po ikin pa kthim.
Këtu korrupsioni të bëhet mik,
e kush shpëton nga ky termet,
i ikën gjuha e nuk flet.
E kush e do këtë stuhi,
gjakun e ka ngjyer në hi.
Nuk është shqiptar në Shqipëri,
elbi, moj bijë, është helmuar.
Mjere ky vend e kush është trazuar,
ik, moj bijë, e mos u kthe,
se farën e ke pa hile.
Ruaje në zemër këtë atdhe,
si dikur, kur ishte i ve.
Uroj një ditë të kthehesh prapë,
e ky vend të bëhet i begatë.
Sot… largohu, e kokën mos e kthe,
shpëto Shqipërinë në zemrën që ke.
Ika, xhaxha, ika
Mirupafshim, Shqipëria ime.
Do kthehem kur të jesh imja përsëri…
/QendraPress/