Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Fatbardha Xhani MYSLIMAJ

I PATA THËNË
————————-
Unë i dola borxhit
mos u dashuro, i thashë
rrimë kështu pa u prekur,
t’i lemë zemrat rehat të rrahin…
Sepse gratë si unë,
dinë t’i çojnë gjërat deri në fund
e fundin e këtij oqeani s’e dimë…
Notojmë më mirë
në ujëra të qeta miqësie,
sepse ti, më dukesh flakë përvëluese
e unë flutur nate
mund t’i djeg krahët…
Por ai
mësuar me flutura ish,
i kish gishtat plot push të hollë
e mburrej shokëve me to,
Tani
ndjen dhembje për krahëzit
që u dogjën pa i prekur
në flakën e mendimeve të bukura
e mbetur peng i tyre
dëgjon i nemitur
kur i them:
Të pata thënë:
mos u dashuro me mua
sepse lloji im
digjet,
e djeg
harrimin….
/QendraPress/