Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Linda FANA

Mos e fajëso

————————

Nëse dikë e deshe më shumë se vetja,

deri sa humbe zërin tënd në heshtje,

deri sa ëndrrat e tua mbetën pas,

si hije që s’i thërret më askush…

Mos e fajëso atë.

Ai ishte thjesht një udhëtar,

që kaloi nëpër zemrën tënde,

ndërsa ti e bëre strehë të përjetshme,

një vend ku vetja jote s’kishte më vend.

Nëse një ditë dhimbja të troket,

dhe zemra të thyhet pa zë,

mos kërko fajtor në sytë e tij,

por pyet veten me qetësi:

Kur e harrove veten?

Kur e le shpirtin tënd në pritje,

për një dashuri që nuk ishte e jotja?

Kur vendose të japësh gjithçka,

pa ruajtur asgjë për veten?

Dashuria s’është të humbësh veten,

as të bëhesh hije e dikujt tjetër,

por të ecësh pranë, jo pas,

të japësh, por edhe të mbetesh.

Prandaj, nëse lëndohesh një ditë,

mos e fajëso…

sepse dhimbja më e madhe

është ajo që i bëmë vetes në heshtje.

/QendraPress/