Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Mimoza Panahori XHINDI

Më mungon, shpirt

——————————-

Të erdha sot…

Pashë shtëpinë tënde të re

Ajo heshtje që flet pa zë

Më preku shpirtin si thikë.

M’u duk sikur më vështroje,

me atë buzëqeshje të qetë,

që më ngroh e më djeg njëkohësisht.

Më mungon fryma të jetoj o shpirt

Më mungon ajri që merrnim bashkë.

Më mungon dora jote që më mbante fort

Më mungon zëri yt që më qetësonte shpirtin.

Në çdo hap, në çdo lot, në çdo frymë që marr

Je ti, o shpirt dhe dhimbja jote.

Sytë të kërkojnë kudo

Zemra të ndien pafund

Shpirti të thërret çdo sekondë…

Por vetëm era më përgjigjet,

duke më përkëdhelur si ti dikur.

Ah, shpirt si s’mendove pak për mua?

Ti që s’i doje kurrë sytë e mi me lot

Tani ata lotojnë përditë,

pa pushim, pa shpresë, pa fund.

Gjysma ime shkoi me ty,

e gjysma tjetër endet në këtë botë bosh.

Çdo hap që bëj, është plagë që s’mbyllet

Derisa të vij pranë teje, o shpirt

E të më marrësh sërish në krahët e tu.

Më mungon Ilir !

Më mungon si jeta vetë o shpirt

/QendraPress/