Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Rudina Muharremi BEJA

PËRTEJ FASADAVE
————————————
Të humbur në pasqyrën e dritave artificiale,
Harruam se ndjenjat nuk mund të maten me pikë.
Është epoka e shpejtë e fasadave,
Është kohë shumë e ligë…
Jemi më shumë se një koleksion memoriesh,
Të humbura hapësirave pa formë, pa ngrohtësi.
Në një botë ku lumturia mbetet shkëlqim i largët,
Si drita e një ylli që nuk mund ta arrijmë.
Kjo botë ka harruar si të ndjejë,
Si të rrezatojë me ngjyra të ylberta.
I duhet kësaj bote një përqafim i sinqertë
Dhe dëshira për të ndarë momente pa filtra.
Të ndalojmë për një moment, për të dëgjuar,
Për të parë, për të jetuar, siç kemi harruar të bëjmë.
Ndryshe, s’mund të kuptojmë vlerën e një buzëqeshjeje
Teksa ngushtohemi boshllëkut të thellë që ndjejmë.
Kemi harruar si të jetojmë për të vërtetën.
Por ndoshta… ndoshta ka ende një mundësi.
Kthimi i buzëqeshjeve që s’kanë nevojë për ekrane,
Dhe i përqafimeve që nuk kanë kufi.
/QendraPress.com/