Fryma poetike e së mërkurës me poeten;-Vjollca ALIAJ

Të puth në ëndërr
——————————–
Vjen më puth drejt e në ëndërr
Nga ç’galaktikë ke zbritur vallë
Nëpër qerpikët e zhuritur
Më merr pak frymë, më le ca zjarr.
Kur avullojnë të gjitha shirat
Kur stinët vdesin në vetmi
Si ta di nëse je ardhje
A ikje je, si mund ta di.
Më merr ca frymë, më le ca mall
Nga ç’galaktikë ke zbritur ti
S’di në je ardhje, a je ikje
Ndoshta kometë, si ta di.
Vij të puth drejt e në ëndërr
Nga ç’galaktikë kam zbritur vallë
Kur stinët vdesin në vetmi
Të marr ca frymë, të le ca zjarr.
/QendraPress/