Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Asllan MIFTARI

MBURRJA DHE LËVDATA

—————————————-

Pa reshtur kam shkruar për nënën

Ndonëse thonë ka shkruar Esenini

Për nënën, muzat nuk shterohen

Siç nuk shteron uji, që del nga burimi !

Poet me famë nuk jam, si Esenini

Se të tillë lindin rrallë herë

Jam vargshkronjës që shpreh ndjesinë time

Vargshkronjës ndoshta, si shumë të tjerë…!

E disata herë kjo që shkruaj për nënën

E pa reshtur do të shkruaj përherë

Se nëna mbart në zemër, dashuri e mall

Loti saj tundon këtë botë të nderë !

Kam shkruar e do të shkruaj për nënën

Gjersa të marrë fund, kjo dramë largimi

Dhe kur bie qetësi e natës e fle dhe Zoti !

Te dera pret nëna me lot mallëngjimi !

Kam shkruar e do të shkruaj dhe për babanë

Se babai është kolonë dhe mburojë e shtëpisë

Kolonë e mburojë, siç është babai

Vlerë për familjen dhe edukimin e fëmijës !

Pa reshtur do të shkruaj, për nënën e babanë

Do të shkruaj, çfarë thotë ndjenja ime

Pa parë askënd, ç’ mendon e shkruan

Ky është nderi dhe dëlirësi e penës sime !

Kam shkruar e do të shkruaj dhe për gjuhën

Gjuhë e bukur dhe e dlirë e vendit tim

Do të shkruaj, çfarë thotë ndjenja ime

Ndonëse nuk jam si Mjeda, Fishta e rilindasi Naim !

Kam shkruar e do të shkruaj dhe për dashurinë

Se pa dashuri, njeriu do të ishte askushi

Do të shkruaj, çfarë thotë ndjenja ime

Ndonëse nuk jam poet si Lasgushi !

Ndaj nuk shkruaj për mburrje

As për lëmoshë, para e lëvdata

Shkruaj se më zgjon një zë nga LART!

E dritë i bëhet penës, dhe kur erret nata !

Do të shkruaj pa reshtur, për nënën e babanë

Për dashurinë dhe gjuhën e dlirë të vendit tim

Do të shkruaj, ndonëse nuk jam me famë

Si Mjeda, Fishta, Lasgushi, Esenini e rilindasi Naim !

Copyright@Asllan Miftari

28 Mars 2025

/QendraPress/