Fryma poetike e së mërkurës me poetin:-Hekuran HALILI

Ç’T’I BËJ SHPIRTIT…?!

———————————

Para vitesh e vitesh,

kanatjeren me ndonjë vrimë,

ma mbulonte këmisha fanellatë,

këmishën e tretur, bërë kartë,

ma mbulonte bluza e leshtë,

bluzën e lodhur nga koha,

xhaketa e kadifenjtë mëngëgjatë,

çorapet e çngjyrosura nga larja,

mi mbulonin këpucët me pluhur e baltë,

po shpirtin e ofenduar, shpirtin e vrarë,

me se ta mbuloja,

kur çdo mëngjes duhma ere sillte Qafë Bota,

si ofshamë njerëzish në torturë,

me se ta qetësoja,

kur “kopetë” e reve të zeza,

që vendlindja ime niste maleve,

Nartës, Mëllezit, Milese, Saraqinit,

duhishëm qanin fushës së Vrinës,

me shi kokërrmadh sa ullinjtë e Lopsit tim…?

Unë qaja bashkë me shiun ,

që lotët të mos m’i shihnin,

mes vetëtimave e bubullimave,

për fatin tonë, për fatin e atyre viseve nuse,

por edhe kjo stinë shirash,

shpirtin as ma qetësonte, as ma shëronte…

Pas stinës së shirave ,

erdhën “stinët” e egra të sigurimsave .

Grupe “armiqësore” me ne bënë,

si skenaristët më të poshtër në botë.

Shpirtëzinjtë, me jetën e dinjitetin tonë luajtën,

“armiq” na thanë, se deshëm Çamërinë ,

karierë bënë me dhimbjet e vuajtjet tona ,

me jetët e fëmijëve, rënkimin e nënave.

Si zervistat gjueti bënë me burrat e Çamërisë,

deri në mbijetesë e shpunë shpirtin çam,

qindra bij burgosën, dhjetra pushkatuan,

por mbetën damkë turpi në fytyrë të kohrave.

Vet Zoti për ne u hakmor, veten “vetvranë”,

plumbin sho-shoqit i dhanë,

Enver, Mehmet, Kadri , e kompani me djajë…

Kështu , mëngjeseve, ditëve, viteve me shpirt të vrarë,

deri sa një ditë erdhi “përmbysja ” e komunizmit.

Unë , rreshtuar tek ëndërrimtarët,

shpresova pa e fshehur shpirtin tim,

në shërimin e plagëve të Çamërisë, të kombit…

Koha rrodhi në shtratin e saj.

Në trungjet e ullinjve shekullor të vendit tim,

(të vetmit që genocistët grekë dot s’i dëbuan,)

njëzet e pesë rrathë të tjerë u shtuan, por,

nga Qafa e Botës vinë të njëjtat duhma ere,

me rënkime njerëzish ende në torturë,

tufat e reve maleve të Nartës e Saraqinit,

të zeza janë e shi vajtues derdhin,

unë, ende bashkë me to,

brënda shpirtit ngre stuhitë e lotit,

në vatrat e shtëpive tona gjysëm murshe rënë,

ende nuk janë ndezur zjarret e vatrave,

zjarret e zemrave të Nuve tona,

çatitë e shtëpive varur rrinë,

si fati ynë , gurë në rrokullimë,

ullinjtë lëkurëplasur nga marazi,

nxihen e nxihen ,sa trembin e natën,

varret stërgjyshore, kodikët e kujtesës,

ende nën ferra e driza rënkojnë,

ende në ato vise të bekuara,

kullosin rrufetë e padrejtësive,

atje gjithçka, guri i plagosur,

muri i pushkatuar, çatia e djegur,

shpirtrat e pafajshëm,

ajri e drita, dihatja e dheut,

presin një falje, të rehatohen

dhe bashkë me ta dhe shpirti im…

Kanatjeren, këmishën, bluzën, xhaketën,

çorapet , këpucët, tani i kam firmato,

por shpirti im ende ai ka mbetur,

se koha e njerëzit më zhgënjyen…

Ç’t’i bëj tani shpirtit tim çam…?!

/QendraPress/