Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Mehdi KRASNIQI

MËKATE TË SHENJTA

————————–

Jam i shenjtë

në mëkatet e mia

Në stok të zemrës

e ruaj akoma

puthjen e parë

Ndënëse

asht e lëkurë

dergjur në vetmi..

&  &   &

KUJTESË E TRISHTUESHME

(Dhimbje nga lufta)

E kujtoj gjysmën e oxhakut të rënë në luftë

dhe pjesën e mbetur shembur nëpër kohë…

Trupin e babës të prerë në dhjetra copa

me brisk nga dhjetra ushtarë të huaj

dhe varrin e tij harruar në mal e kujtoj

E kujtoj këmishën e motrës shpuar me tridhjetë plumba

Tridhjetë pranverat e saj pushkatuar një nga një…

E kujtoj flokun e saj të prerë,

kokën e vjedhur,

duart lidhur pas shpine me tel xhembor

I kujtoj gëzhojat e plumbave mbi maxhen e thatë

dhe bukën e vrarë në sofër

Mbi rrënoja të luftës e kujtoj

Djepin që e përkundte era me një foshnje të masakruar

Në prag të derës këpucët e tij të pushkatuara

I mbante në dorë hija e babës…

Oh, nënë!

/QendraPress/