Fryma poetike e së mërkurës me poetin:-Sitki Q. JASHARI

Deti, miku im më i mirë
———————————
Erdha përsëri tek ty, o det
Erdha plot dëshirë e mall
Siç vinë shtegëtarët në shtëpi
Erdha t’i shpëtoj pakëz rrëmujës
Por, erdha dhe të t’rrëfehem
Të t’besoj dhe mëkatet e mia…
Kam dëshirë të vi shpesh tek ty
Që bara e mëkateve të mia
T’mos më rëndoj shumë në shpirt
Ti kyç ata në arkivin tënd të sigurt
Atje, ku as Hëna, as Dielli
Kurrë se gjejn shtegun
Gjithmonë kam dëshirë t’vi tek ty
Por rrugën ma tersnon dreqnia
M’a tersnojnë, ziliqarët, lugetërit
Sepse sot në “epokën e interneti”
Djajtë e kollarisur, si Zot na shtiren
Bëra si bëra dhe erdha përsëri…
Jo me dashurinë fëminore si dikur
As i joshur nga magjia e valëve
Por se më mungon një mik fisnik
Dhe ti për mua, je miku më besnik
Që kurrë s’ndërhyn në punët e mia
Nuk e di, pse më dukesh i lodhur
Më dukesh, i mërzitur, i zemëruar
Sa vërtet, më duhet të t’kem frikë
Por ti ke arsye, nëse s’më beson
Sepse dhe unë, jam bër i pabesuar
Më thuaj ti, o det zemërgjerë
Ti o det, shumë i duruar…
Që më dukesh, si Gjon Pagëzori
Që duron shumë, turmat njerëzore
E nga lukunia, pagëzon dhe mizorë
A pranon miqësi, me një poet rebel
A më pranon mik dhe mua, siç jam
I mashtruar, tallur, uryer nga hajnia
Sepse me dashurinë kam mëkatuar
Me lazdrimet e përditshme
Mes rrezesh diellore e valëve tua
Ti dhuron freski, gjallëri pa kufi
Bujari, lumturi më ofron dhe mua
Më pret njëlloj, gjithmonë i duruar
Siç presin prindërit, evlatin e larguar
Por të këshilloj, o miku im i mirë…
Ti duhet të bësh kujdes me mua
Të flasim drejtë, unë s’jam Mesia
Kam shumë mëkate në shpirtin tim
Aq sa, s’ka më vend ku ti mbaj…
S’ka anë, as për mëkatet e një blete.
Erdha tek ty dhe përsëri do të vi
Por një garanci, desha prej teje.
Mëkatet e mia, askush t’mos i di
Le të mbeten në kasafortën tënde
Por dhe ti, u’a bëj mirë llogarinë
Sa herë të vi, ti vëri në peshore…
Me mëkatet e vjetra, mi vlerëso
E nëse të rejat, rëndojnë më shumë
Atëherë, mos ki mëshirë për mua
Ashtu siç merr, moteve t’egërsuara
Varka peshkatarësh rrugë-humbur
Anije gjigande, me njerëz pa masë
Lodra, kafshë, kështjella prej rrëre
Bërë nga fantazi fëmijësh në breg
Ashtu ti, më merr edhe mua
Më hidh në humnerat e tua të erëta
Atje, ku nuk ka as rrugë, as shpresë
Do të vi gjithmonë tek ty, o det
Me dëshira, si një fëmijë çapkën
Me mallin e një njeriu të humbur
Do të vi tek ty, sa të kem frymën
Se ti, më ngjan si varka e Noas…
Sepse ti, të ngjall besim e shpresë
Sepse ti, je Jerusalemi, je Meka.
Sepse ti, je vetë jeta…
/QendraPress/