Fryma poetike e së mërkurës me poetin;Imer HYSA

ME VJEN KEQ
—————————
Më vjen keq për lulet, s’kanë mjaftueshëm puthje bletësh
për fustanet e pemëve që grisen pa u bëra nëna,
Keq më vjen për lumenjtë e zënë në leqe
për shtratin e brigjet e përrenjve, përfshirë nga vdekja.
Më vjen keq për bjeshkët, livadhet, shkrepat
për këmborët e bagëtive që s’dhurojnë më tinguj,
Keq më vjen për pyjet pa një këngë bilbili a thëllëze
po aq sa për një hije frasheri pa melodi baritore fyelli.
Më vjen keq për tokën që s’mbarset me drithra
për plugjet që pluhuri i ka mbuluar në hangare,
Keq me vjen për frutat që kalben si hithra
që s’dëgjoj livadheve blegërimën e një deleje manare
Më vjen keq për nipin që lindi matanë detit
dhe jo me gjuhë të nënës filloi klasën e parë,
Keq më vjen për shtëpitë pa zëra fëmijësh
për gjyshërit që s’trgojnë dot qoftë dhe një përrallë.
/www.Qendra Press.com/