Fryma poetike me poeten;- Barie ÇUPI      

S’di pse …2022 !!!

——————————————

…s’di pse dua t’i filtroj fjalët nga jargët e kësaj kohe të ndotur,

e të zhbëj ushtrinë e njëmijë fytyrave,

tek zënë si perde para diellit që zgjohet për t’më ngrohur…

s’di pse në pellgje të avullta dua të zhys dëshirat vdekatarë,që nuk i preka kurrë,

e në varreza pavdekësie të celebroj kritikat e mia serioze,që s’i bëri njeri as vepra,as rrugë…

s’di pse me tehun e mendimit dua të thyej arrogancën helmuese të djajve qesharakë,

e të përçoj drejt qiellit me re,ditë-natën,ndezur flakë…

s’di pse ende frymoj në shpirtra të palumtur me plagë migjeniane,

e nga xhepa kujtimesh,duhet të zbraz më të tremburat vargje…

s’di pse në qoshet e shpirtit dua të skanoj buzëqeshjet e çel’ta marrë pa asnjë çmim,

e pikën e lotit ta shkërmoq,në brigjet e dimrit që ngrin…

s’di pse hapat më të ftohtë,janë e ardhmja që duhet të pranoj,

e në oazin e ëndrrave,të ruaj ngrohtësinë luleve,që bryma mos m’i trishtojë…

s’di pse perëndeshë dua të ndihem larg çdo sundimi,

e zemrën ta mbështjell,me përqafimet më të ëmbla të tim biri…

s’di pse dua të vizatoj gjethet e kafëta në vitet që kthehen përmbys nëper kalendarë,

se jeta është enigmë,ka akull e zjarr në të njëjtën faqe…

s’di pse ndjej rehatinë,e qeshem në supet e një të pathëne,

se është hyjnore qetësia,janë hyjnore sakrificat e një nëne…

s’di pse di,që vetëm në nyje dritash duhet ta gjej mirësinë,

e tingujt e ndjenjës më të bukur,ti çlodh mbrëmjesh në violinë…

s’di pse në stacionin e fundit ,dua të zbres si një përrallë,

e fati le të lexohet pastaj, shkrimesh bërë radhë…

/www.QendraPress.com/