Gazetarja serbe: Serbët e Kosovës po shantazhohen nga Beogradi dhe Lista Serbe
Serbia në Bashkëpunim me Listën Serbe po i shantazhon serbët e Kosovës. Këtë po e thotë vet Milica Stojanoviq Kostiq gazetarja serbe që jeton në Kosovë. Sipas saj shantazhi i ardhur nga Serbia po ndodh krejt hapur. Serbët po kushtëzohen me një vend pune në afat prej një muaj, në këmbim të votës për partinë që dirigjohet nga Beogradi. Sasha Sekuliq, kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve në Graçanicë thotë se e vetmja arsye pse serbët po ikin nga Kosova, është për fajin e Qeverisë së Serbisë.
Serbia tashmë është thelluar në fushatën e saj të ashpër për ta nxjerrë Listën Serbe fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë. Fillimisht e nisi me shpërndarjen e disa shtëpive ende të papërfunduara për disa banorë serbë të cilët i panë si votë potenciale për Listën Serbe me 9 shkurt.
Kurse tash ka arritur një tjetër nivel.
Për të siguruar edhe më shumë vota, Serbia ka hapur konkurs për disa vende pune në objektet ilegale shëndetësore që veprojnë në territorin e Kosovës.
Dhe për ta bërë situatën sa më komike, konkursi në këto institucione ilegale është hapur vetëm për një muaj, nga 27 janar e deri me 28 shkurt të këtij viti 2025.
Kim Radio mëson se ka interesim të madh te qytetarët për konkurset e shpallura, ndërsa në mesin e kandidatëve për punë, përveç të papunëve serbë që jetojnë në Kosovë, ka edhe të tillë që banojnë në Serbinë qendrore.
Është simptomatike që konkurset shpallen në shkurt.
Krahas konkurseve të shpallura për vende të reja të punës në shëndetësi, janë në proces aplikimi edhe për personat e rrezikuar social dhe të papunë për të marrë ndihmë sociale nga shteti i Serbisë në vlerë prej 20 mijë dinarë.
5000 qytetarë do të kenë të drejtë për këtë ndihmë. Sipas drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, pagesa do të fillojë në mes të shkurtit.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile besojnë se konkurset janë shpallur për shkak të fushatës zgjedhore që po vazhdon, e gjitha me qëllim, siç thonë ata, për të mbështetur Listën Serbe
Gazetarja dhe drejtoresha serbe e OJQ-së “E drejta për Ligj” Milica Stojanoviq Kostiq e ka bërë të qartë se serbët e Kosovës po shantazhohen nga Beogradi dhe nga Serbia.
Sipas saj, tash që kanë mbetur edhe pak ditë deri në datën e zgjedhjeve në Kosovë, Serbia po bën çmos për ta ndihmuar partinë që e dirigjon në Kosovës, që të arrijë rezultatin që dëshiron.
“Qeveria në Serbi për ta ndihmuar Listën Serbe të arrijë rezultatin që dëshiron, tani po i jep 20 mijë dinarë pikërisht në shkurt që të shantazhohen njerëzit. Ata japin edhe kontrata të caktuara që nuk e dimë sa do të zgjasin dhe si do të jenë. Ata me siguri do të shantazhojnë një pjesë të mirë të njerëzve që thjesht kërkojnë një ekzistencë dhe thjesht duan të sigurojnë familjen e tyre”, ka pohuar gazetarja serbe.
Dhe kjo, për fat të keq, sipas saj po ndodh krejt hapur.
“Kjo po ndodh para syve tanë dhe para syve të atyre që duhet të reagojnë, por aparatet shtetërore ende nuk punojnë për popullin, por për interesa partiake”, theksoi ajo.
Edhe Gordana Gjoriq nga Shoqata e Grave Afariste “Avenija” thotë se është shumë e shëmtuar që në periudhën e fushatës Serbia dhe njerëzit e saj në Kosovë hapin konkurse, ndihma sociale dhe projekte.
“Unë nuk mund ta pranoj diçka të tillë sepse nuk ka mundësi që politikanët tanë të kuptojnë dhe të pranojnë se ata duhet të jenë një shërbim për qytetarët tanë dhe se kanë përgjegjësinë për të mundësuar një jetë më cilësore dhe më të sigurt që qytetarët duhet të jetojnë ashtu siç dëshirojnë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur me vite, por vetëm gjatë fushatave zgjedhore”, tha ajo.
Derisa Sasha Sekuliq, kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve në Graçanicë, ka përgënjeshtruar Serbinë dhe zyrtarët e saj, se serbët po largohen nga Kosova për shkak të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Sipas tij e vetmja arsye pse serbët po ikin është për fajin e Qeverisë së Serbisë.
Ai ka thënë se të rinjtë po largohen nga Kosova për shkak të gjendjes së keqe ekonomike.
“Ka pak vende për të punësuar të rinj, kështu që të rinjtë, të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj, po largohen nga këtu”, shtoi ai.
Serbia ka shpallur konkurs në qendrat shëndetësore të Graçanicës, Fushë Kosovës dhe Gustericë e poshtme – Lipjan. Konkurs për pozita të reja është shpallur edhe në Institutin Farmaci të Prishtinës, me seli në Graçanicë. Krahas tyre, vende pune në institucionet shëndetësore janë paralajmëruar edhe në komunën e Istokut, Prizrenit dhe Pejës.