Gërvalla: Minimumi 50 për qind e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës – s’do të ketë konsuj politikë
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Shërbimin e Jashtëm minimum 50 për qind e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës. Sipas saj, s’do të ketë konsuj politikë dhe me këtë përqindja e diplomatëve politikë të Kosovës në Shërbimin e Jashtëm do të bjerë edhe më shumë.“Proporcioni politik dhe diplomatë të karrierës, s’do ta kalojë asnjëherë 50-50shin. Së paku, minimumi 50 për qind e ambasadorëve tanë do të jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politikë nuk ka në qeverinë tonë. Nuk është praktikë ndërkombëtare ky nocion. S’do të ketë praktikë e tillë. Duke marrë ambasadorët do të jetë së paku 50 për qind, e me konsujt, përqindja do të jetë më shumë kah diplomatë të karrierës se politikë. Do të ndërtojmë me kujdes akademinë diplomatike”, ka thënë ajo të martën para deputetëve në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme.Në Komision ajo ka prezantuar planin legjislativ të MPJ-së për sivjet. Ka bërë të ditur se deri në korrik planifikohet projektligji për diasporën e deri në shtator ai për Shërbimin e Jashtëm.Ka shtuar se me këtë ligj do të shqyrtohet çdo prezencë apo mosprezencë e Ambasadave apo Konsullatave në shtetet e botës.Ditë më parë, Gërvalla shkarkoi 12 ambasadorë të Kosovës.