Gjeopolitika shqiptare – një ‘fenomen gjeopolitik’?Shkruan;Prof .dr. Haxhi FERATI ekspert i sigurisë

                A duhet të shihen dhe kuptohen shqiptarët – ‘të parët dhe të fundit’ – si objekt trajtimi gjeopolitik?

Gjeopolitika, si disiplinë shkencore (që nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX), e ka pasur të vështirë të sigurojë vendin e saj mes disiplinave të tjera shkencore, kryesisht për shkak të mungesës së qartësisë së objektit të studimit. Më shumë është parë dhe trajtuar nga këndvështrimi praktik, sesa nga ai teorik. Këtë problem dhe dilemë teorike dhe praktike e kam trajtuar në librin tim “Gjeopolitika dhe Gjeostrategjia (teoria dhe praktika)”, Ilari: Tiranë, 2013.

Për të kuptuar drejtë gjeopolitikën, ajo nuk duhet parë vetëm si një raport i thjeshtë midis hapësirës dhe politikës. Ajo duhet të kuptohet edhe si një fenomen gjeopolitik, me peshë dhe rëndësi për identitetin tonë gjeopolitik, që nga e kaluara e deri më sot – duke nisur nga rrënjët e kuptimit të saj si nocion dhe përmbajtje, evoluimi si fuqi ndikimi, deri te “vdekja dhe ringjallja” e saj si domosdoshmëri e ripërtëritjes së këtij ndikimi.

Nuk jemi të vetëdijshëm për fuqinë që ka njohja dhe trajtimi i këtij koncepti në nivelin teorik dhe praktik. Ka qenë një gëzim dhe nder i madh për mua që, për herë të parë në universitetin tonë, në Fakultetin Filozofik, vendosëm lëndën “Gjeopolitika dhe Gjeostrategjia” si pjesë e kurrikulës. Kjo u mirëprit nga studentët dhe u afirmua si dije me rëndësi për interesat e politikës shtetërore – megjithëse, edhe sot, politika shqiptare flet me plot gojë për “gjeopolitikën”, por nuk është gjithmonë e vetëdijshme për rolin dhe fuqinë e “gjeohapësirës”.

Fjala “gjeopolitikë”, e përbërë nga dy fjalë: “Ge” dhe “politikë”, në literaturën ndërkombëtare paraqitet si term grek. Por, unë besoj (edhe pse nuk jam gjuhëtar), se kuptimi i vërtetë i këtyre fjalëve mund të zbërthehet më saktë përmes gjuhës shqipe. Fjala “Ge” mund të lidhet me fjalën shqipe “gjë” – pra, send, gjësend. Po ashtu, fjala “tokë” merr kuptim më të plotë përmes shqipes si “tok” – tubim, bashkim në një tërësi, një “lëmsh” i tokës, që në shqip quhet TOKA – diçka e bashkuar, e mbledhur. Kjo e bën të qartë edhe përkufizimin e saj si njësi gjeografike me fuqi ndikimi.

Vendosja e tokës në funksion të njeriut bëhet përmes mendjes dhe fuqisë së tij, përmes qyteteve dhe shteteve – “poliseve”, qytetarëve dhe vetë qytetarit – që bashkohen në konceptin politikë. Pra, “Ge & Politika”, së bashku, përbëjnë një fuqi ndikimi të quajtur “Gjeopolitikë”.

Kjo qasje kërkon dhe meriton trajtim të thellë shkencor, për t’i treguar botës së përparuar se raportet e para midis njeriut dhe hapësirës kanë lindur dhe burimin e kanë te raca jonë. Fatkeqësisht, shqiptarët – si “të fundit” në këtë botë globale – po vuajmë pasojat e padrejtësive gjeopolitike nga fuqitë me ndikim, pa e përjashtuar vetveten që, për një kohë të gjatë, nuk kemi gjetur rrugën e duhur për të ndërtuar dhe forcuar fuqinë tonë të ndikimit gjeopolitik.

Politikbërësit shqiptarë, që mendojnë dhe flasin shqip, duhet ta kuptojnë se shprehja “gjeopolitikë” – “Ge” (gjë) dhe “Tokë” (bashkim) – është produkt i gjuhës së të parëve tanë dhe duhet ruajtur si vlerë kombëtare. Kjo është edhe një dëshmi para botës dhe fuqive të mëdha, se “Gjënë – Tokën”, që na është dhuruar nga Zoti (Thoti), e kemi ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi, deri më sot, kur ajo po ringjallet.

Ende dëgjohen lutje si: “Pasha tokë e qiell”, “Pasha Diell e Hënë”, “Pasha këtë Dhe”, “Pasha këtë Ujë”, e të tjera, që nuk i dëgjojmë te popujt e tjerë. Kjo është trashëgimi shpirtërore, por edhe një shenjë e lidhjes së thellë të njeriut shqiptar me tokën. Megjithatë, fuqinë e tokës si faktor ndikues në gjeopolitikë nuk e kemi trajtuar sa duhet.

Çdo element i tokës (dheut – mëmëdheut – atdheut) është njësi me ndikim gjeopolitik, dhe duhet parë si faktor përcaktues për pozitën gjeostrategjike të gjeohapësirës shqiptare.

Në realitetin gjeopolitik aktual, pozita gjeopolitike e shqiptarëve është shumë e fragmentuar. Kjo e bën të vështirë veprimin si një fuqi e vetme ndikimi. Megjithëse është një mision i vështirë, unë besoj se është i arritshëm, nëse mendojmë, shohim dhe veprojmë gjeopolitikisht, përtej kufijve të mendësisë politike.

Për këtë, duhet të ndryshojmë shumëçka tek vetja, fillimisht duke u bërë “vetja jonë” – si parakusht për t’u bërë faktor i përgjegjshëm dhe i suksesshëm drejt një synimi të përbashkët: bashkimit kombëtar.

Fenomen gjeopolitik është edhe vetë fakti se, pavarësisht rrjedhës së ngjarjeve, në fund, çështja shqiptare dhe hapësira shqiptare do të kërkojnë – dhe do të gjejnë – një zgjidhje gjeopolitike./QendraPress/