Grenell kërkon t’i ndalet financimi Speciales: Është e gjitha politike

Grenell kërkon t’i ndalet financimi Speciales: Është e gjitha politike
I dërguari i presidentit Donald Trump për misionet speciale, Richard Grenell ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke e quajtur atë një institucion të politizuar dhe duke kërkuar shfuqizimin e financimit të saj.
Reagimi i tij erdhi si rezultat i disa pretendimeve se brenda Gjykatës Speciale ekziston një frymë anti-Trump.
Grenell i cili ka qenë i zëshëm kundër gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në një postim në “X” ka shkruar se miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar.
“Shfuqizoni financimin e kësaj gjykate! Është e gjitha politike. Miliarda janë shpenzuar dhe shpërdoruar.”
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. /Telegrafi/