Grupi “Asnjë cent më shumë” dorëzon padi kundër ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë

Grupi qytetar “Asnjë cent më shumë” dorëzoi zyrtarisht sot një padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kundërshtuar vendimin e fundit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Padia vjen pas protestave të organizuara ditëve të fundit, ku qytetarë dhe aktivistë kanë kërkuar anulimin e menjëhershëm të tarifave të reja të energjisë.
Pas dorëzimit të padisë, avokati Ardian Bajraktari tha se vendimi për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike është marrë duke u bazuar në shkelje dhe është diskriminues.
“Ne sapo dorëzuam padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kërkojmë anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. Vendimi është marrë me shkelje dhe është i natyrës diskriminuese. Jemi përpjekur të dëshmojmë që vendimi duhet të kthehet në piken zero pasi ka pasoja zinxhirore dhe të pariparueshme. Ne sot do ti drejtohemi edhe avokatit të popullit që të involvohet në këtë çështje”, tha Bajraktari.
Ndërsa Ali Sefaj nga grupi “Asnjë cent ma shumë” tha se besojnë që gjykata do të vendos konform kërkesave të tyre.
“Gjykata është institucioni ku do ta atakojmë këtë vendim. Ne besojmë që do të vendos konform kërkesave tona”, tha Sefaj./EO/