Grupi i parë i turistëve nga Malta mbërrin në Kosovë – “Sharr Travel” nis bashkëpunimi për shkëmbime turistike mes dy vendeve

Kosova ka pritur grupin e parë të turistëve nga Malta, si pjesë e një iniciative të re për promovimin e destinacioneve mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.
Kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit mes kompanisë turistike “Sharr Travel” dhe autoriteteve malteze, një zhvillim që po konsiderohet si hap i rëndësishëm për rritjen e shkëmbimeve turistike dhe ekonomike.
Pronari i “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, e cilësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Kosovë dhe rajon.
“Është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë dhe një respekt i madh për ambasadoren e nderuar që ka vizituar ‘Sharr Travel’. Kompania jonë është më e madhja në promovimin e turizmit, si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës. Siç po shihni, kemi edhe grupin e parë nga Malta, i cili do të qëndrojë për shtatë net në Kosovë. Ky është një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai.
Kurtishaj shtoi se kompania po punon intensivisht për krijimin e paketave turistike për Maltën, duke synuar shkëmbime të rregullta turistike mes dy vendeve.
“Ne kemi mbi 50 të punësuar dhe një flotë moderne autobusësh. Qëllimi im është që gjithë këtë punë që kemi bërë për turizmin rajonal ta orientojmë drejt turistëve të huaj që vijnë për të vizituar Kosovën. Jemi në proces të krijimit të paketave turistike për Maltën; ky është vetëm grupi i parë dhe do të kemi vazhdimisht vizitorë nga Malta gjatë muajve prill, maj dhe qershor, por edhe në shtator, tetor dhe nëntor. Njëkohësisht, do të organizojmë vizita edhe për qytetarët e Kosovës që duan të eksplorojnë Maltën”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, ambasadorja e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe e cilësoi turizmin si një sektor kyç për të dyja vendet.
“Ajo që po bëni është shumë e rëndësishme, sepse për Maltën është shumë e rëndësishme të ketë turizëm hyrës dhe gjithashtu dalës. Pra, ju po e promovoni vendin tonë dhe ne po ju promovojmë ju. Kështu që është një bashkëpunim shumë fantastik dhe shpresojmë që të ketë më shumë bashkëpunim mes dy vendeve në këtë aspekt, sepse turizmi është shumë i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për Maltën”, ka thënë ajo.