Grushtshteti i heshtur në Kosovë, nga kapja e dhunshme te degradimi kushtetues/Shkruan:Hisen BERISHA analistë politik

Institucionet e një shteti mund të pushtohen pa armë – kur uzurpohen për qëllime politike dhe jashtë mandatit kushtetues. Kjo është ajo që po ndodh në Kosovë. Prej mëse katër vitesh, demokracia është mbajtur peng nga një pushtet që nuk njeh kufij institucional, nuk pranon kontroll e balancë, dhe nuk njeh as fund.

Kapja sistematike e institucioneve nga qeveria aktuale ka kulmuar me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila më në fund deklaroi të paligjshëm ushtrimin paralel të funksioneve legjislative dhe ekzekutive nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që mbajnë njëkohësisht edhe poste ministrore në detyrë. Ky është një moment vendimtar që provon atë që është denoncuar prej kohësh: degradimin dhe sabotimim e institucioneve dhe shkeljen me vetëdije të rendit kushtetues të Kosovës për interesa të një grupi të vetëm politik.

Ky është përkufizimi më i saktë i grushtshtetit të heshtur – një proces i vazhdueshëm, pa të shtëna, por me pasoja të rënda për sistemin. Një pushtet që shkatërron balancat e ndarjes së pushteteve, që shkel vendimet e gjykatave, që instrumentalizon drejtësinë dhe që bllokon tranzicionin demokratik, nuk është më qeveri legjitime, por strukturë uzurpuese.

Sot, opozita politike trajtohet si armik.

Zërat kritik etiketohen si tradhtar.

E vërteta ridimensionohet përmes propagandës.

Edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës – burim i lirisë që e ka ndërtuar këtë shtet – është vënë në shënjestër të një fushate të re të delegjitimimit dhe kriminalizimit politik. Kjo është pjesë e një skeme të gjerë: jo thjesht për ta shkruar historinë nga e para, por për ta fshirë memorien kolektive të rezistencës dhe për t’i hapur rrugë një regjimi që s’ka asnjë lidhje me themelin kushtetues të shtetit.

Nuk duhet harruar se këto tendenca nuk nisën sot.

Ato morën formë qysh me qeverisjen 52-ditëshe të Kurtit I, kur u thyen rregullat e partneritetit me SHBA dhe u shkelën parimet bazë të funksionimit institucional.

Gjatë asaj periudhe janë aksesuar sistemet më kritike të bazave të të dhënave shtetërore – duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorimin e tyre nga segmente të lidhura me rrjete të huaja keqdashëse, përfshirë shërbime të inteligjencës së Serbisë.

Këto të dhëna – të ndjeshme, personale, politike dhe institucionalr– shërbejnë si bazë për shantazhim, për presion dhe për kontroll politik të figurave publike e institucioneve të pavarura. Prej asaj kohe, gjithçka që ka ndodhur ndjek të njëjtin skenar si: bllokim i Kuvendit, mbajtje peng e zgjedhjeve, sabotim i Kushtetutës, e tani edhe zhbërje e vetë drejtësisë.

Në një regjim të tillë, ligji aplikohet vetëm për kundërshtarët, asnjëherë për pushtetarët. Shpifja bëhet metodë, propaganda sistem, dhe drejtësia – vegël. Ky është grushtshteti hibrid, i realizuar pa tanke, por me urdhra arbitrarë, emërime politike, dhe një presidente që hesht përpara shkeljes së çdo norme demokratike. Heshtja e saj gjatë këtyre viteve të errëta të bashkëqeverisjes nuk e liron nga bashkëfajësia politike në proces.

Në këtë betejë nuk ka ende viktima njerëzore – por ka viktima politike. Po luftohet për ti zhdukur kundërshtarët, është zbehur pluralizmi, është goditur vetë parimi e ndarjes së pushteteve. Kjo nuk është më një krizë politike, por një kolaps institucional që i kërcënon themelet e shtetit.

Kosova nuk mund të mbrohet me populizëm.

Nuk mund të udhëhiqet me shantazh.

Dhe nuk mund të sillet si republikë parlamentare në letër, por si regjim i kapur në praktikë.

Demokracia kërkon zgjedhje, jo sabotim.

Shteti kërkon ndarje pushtetesh, jo përqendrim absolut.

Sovraniteti kërkon aleatë, jo fyerje ndaj tyre.

Ky është momenti për të thënë qartë:

Grushtshteti ka ndodhur – vetëm se nuk ka pasur nevojë për uniforma. Vetëm për heshtje./QendraPress/