Grushtshteti institucional i Albin Kurtit – kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe ligjor.-Shkruan:Gjeneral Hisen BERISHA

(Kosovës po i vije rreziku nga brenda – nga klasa politike – papërgjegjësia ligjore dhe kushtetuese. Kërcënimet e politikanëve serb – shkolla e vjetër – për ti shpëtuar situatës/krizes politike.)
Në mungesë të një reagimi të ushtrisë sipas mandatit që ka në fushen e misionit Mbështetja Ushtarake Autoriteteve Civile dhe meqë ka kufizime sepse është në proces të zhvillimit të Kapaciteteve të Plota Operacionale, është detyrë e Policisë së Kosovës të rivendosë rendin kushtetues dhe ligjshmërinë në vend.
Prokuroria Speciale ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të vepruar ndaj moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës Kushtetuese. Çdo vonesë apo hezitim në këtë drejtim përbën shkelje të rëndë të mandatit kushtetues të saj.
Edhe ndaj kryesuesit të Seancës konstituive, që në emër të bashkëpunimit fanatik me vrasësit e djemëve të tij – Prokuroria Speciale duhet të ushtrojë padi – për shkak të devijimit nga formati standard i Seancës konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, dhe për shkelje të detyrimit që buron nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Nëse Prokuroria Speciale zgjedh të mos veprojë – ashtu siç ka ndodhur më herët me rastet që lidhen me krimin e organizuar, rezervat e shtetit, keqpërdorimet në sektorin e energjisë, financimet e dyshimta, lidhjet me shërbime të huaja dhe agjendat e errëta antishtetërore – atëherë me plot të drejtë mund të konstatohet se drejtësia është vënë në shërbim të pushtetit arbitrar të Albin Kurtit.
Në këtë situatë kritike, kur shteti po shantazhohet nga brenda dhe parimet themelore kushtetuese po shpërfillen, përgjegjësinë historike për mbrojtjen e republikës duhet ta marrin mbi vete veteranët – ata që ndërtuan këtë shtet me gjakun dhe sakrificën e tyre./QendraPress/